BQK s'përmend ndëshkime, i liston efektet që thotë se i pati plani për zbatimin e rregullores që e heq dinarin - Gazeta Express
string(108) "bqk-spermend-ndeshkime-i-liston-efektet-qe-thote-se-i-pati-plani-per-zbatimin-e-rregullores-qe-e-heq-dinarin"

BQK s’përmend ndëshkime, i liston efektet që thotë se i pati plani për zbatimin e rregullores që e heq dinarin

Lajme

Gazeta Express

13/05/2024 14:51

Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar një listë të efekteve që thotë se i pati plani 10-pikësh për zbatimin e Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, i cili skadoi të dielën.

Tash që euro konsiderohet valuta e vetme e vlefshme për transaksione në Kosovë, rregullorja parashikon ndëshkime për ata që e përdorin dinarin serb si mjet pagese në Kosovë. Por BQK-ja s’e përmend këtë. Thotë se periudha tranzitore tremujore kontribuoi “në rritjen e qasjes në financa të sigurta përmes bankave dhe institucioneve financiare jobankare, gjithëpërfshirjen financiare dhe mbrojtjen e tyre nga aktivitetet financiare të pashëndosha”, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Nga lista prej 10 pikash të Planit, BQK ka realizuar aktivitete në secilën prej tyre, duke filluar nga funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë (0800 222 55), lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, pezullimi i përkohshëm i tarifës së BQK-së dhe aktivitetit të intensifikuar promovues, deri te pikat tjera që kanë kërkuar angazhimin dhe kontributin e institucioneve financiare, për çka shprehim falënderimin”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Banka Qendrore përmendi “disa nga efektet” e këtij plani.

“Janë licencuar tetë (8) degë/zyra të institucioneve financiare; Një (1) zyrë bankare/degë në Leposaviq; Një (1) zyrë e kompanisë së sigurimit (jojetë) në Leposaviq; Gjashtë (6) zyra të institucioneve financiare jobankare dhe mikrofinanciare: Një (1) në Leposaviq; Një (1) në Zveçan; Dy (2) në Graçanicë; Një (1) në Shtërpcë; Një (1) në Shillovë, Gjilan. Janë vendosur 38 bankomatë/ATM/pajisje të vetëshërbimit financiar; Janë kryer mbi 350 vizita dhe aktivitete promovuese (duke përfshirë Remote Banking); Janë dhënë afër 11 milionë euro kredi”, thotë BQK-ja.

Gjatë kësaj periudhe transitore tashmë të përmbyllur, BQK-ja thotë se “në kuadër të edukimit financiar”, ka organizuar “kampanja informuese, siç është Manuali për Pyetjet dhe Përgjigjet e Shpeshta mbi Rregulloren”, ka dërguar SMS informues, e se ka publikuar “sqarime dhe njoftime në webfaqe dhe në të gjitha rrjetet sociale të BQK-së, në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës”.

BQK ka përmendur edhe zgjerimin e qasjes në financa, përfshirjen financiare, edukimin financiar dhe mbrojtjen e konsumatorit, duke thënë se këto “do të jenë aktivitete dhe angazhime të vazhdueshme të BQK-së mbi bazën e praktikave më të mira evropiane, si objektiva të Planit Strategjik të BQK-së, me fokus në zonat pjesë e Planit të Lehtësimit të Zbatimit të Rregullores”.

“Këto veprime ndërmerren krahas angazhimit konstruktiv në lehtësimin e mekanizmit të transferimit të mjeteve në mënyrë sa më efikase te qytetarët e Republikës së Kosovës, përmes llogarive bankare mbi bazën e rregullores në fuqi”, thotë BQK-ja.

Ndonëse sipas rregullores, tash do të duhej të ketë ndëshkim për ata që e përdorin dinarin serb si mjet pagese në Kosovë, kkryeministri Albin Kurti tha sot se BQK-ja “e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi”.

Çështja e dinarit e ka përballur Qeverinë e Kosovës me kundërshtimin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka kërkuar pezullimin e zbatimit të rregullores së re të BQK-së që e heq dinarin si mjet pagese në vend.

Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq do të shkojnë edhe një herë në Bruksel këtë të mërkurë, në një përpjekje për ta gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit.